Vlera e leximit të Kur’anit







Vlera e leximit të Kur’anit

 

Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut të Lartësuar, i Cili e bëri obligim haxhin për ata që kanë mundësi. Salavatet qofshin mbi të Dërguarin e tij,


Muhamedin salallahu alejhi ue selem, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë muslimanët deri në Ditën e Gjykimit.

Me të vërtetë Kurani është fjala e Allahut të Madhërishëm, që ia zbriti Pejgamberit Muhamed salallahu alejhi ue selem për t’i treguar njerëzimit rrugën e drejtë

dhe ai i cili i përmbahet Kuranit, do të jetë i udhëzuar. E kush largohet nga ai, do të jetë në një humbje të mjerueshme. Duke e ditur vlerën e Kuranit,

siç e cekëm në temën e kaluar (Vlera e Kuranit), Allahu i Lartmadhërishëm na e obligoi leximin e Kuranit dhe të praktikuarit e tij duke thënë:

“Ata që lexojnë librin e Allahut, e falin namazin dhe nga begatitë që Ne u kemi dhënë japin fshehtazi e haptazi, ata e shpresojnë

në një fitim që kurrë nuk humbet. Që Ai (Allahu) do t’ju plotësojë shpërblimin e tyre, e edhe do t’ju shtojë nga mirësia e Tij,

vërtet Ai është mëkatfalës dhe shumë mirënjohës.” (Fatir, 29-30) 

Po ashtu, Pejgamberi salallahu alejhi ue selem na ka lajmëruar për shpërblimin e madh
që ka ai i cili lexon Kuran. Prej haditheve që flasin për vlerën e leximit të Kuranit veçojmë:

- Trasnmeton Ibn Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai i cili lexon një shkronjë prej librit të Allahut
e ka një sevap dhe një sevap shpërblehet dhjetë fish. Nuk po them (ELIF- LAM -MIM) një shkronjë, mirëpo Elifi një shkronjë, Lami një shkronjë dhe
Mimi një shkronjë.” Tirmidhiu nr. 2910 dhe hadithi është hasen-sahih. 

 Pra, ai që lexon vetëm këto tri shkronja ka 30 sevape.

- Transmeton Ebu Umame, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Lexojeni Kuranin sepse ai do të vijë si
ndërmjetësues për ata që e lexojnë atë.” Muslimi nr. 804.

- Transmeton Abdullah ibn Amri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “(Në Ditën e Gjykimit) Do t’i thuhet
atij që e lexon Kuranin: “Lexo dhe ngrihu, lexo ashtu siç ke lexuar në dynja, se me të vërtetë vendi yt është në ajetin e fundit që do të lexosh.”
Tirmidhiu nr. 2914 dhe ka thënë se ky hadith është hasen-sahih.

 Atij që lexon në këtë botë Kuran, në Ditën e Gjykimit do t’i ngrihet grada në xhenet
me aq Kuran sa ka mësuar në dynja (përmendësh) dhe sa më shumë që di përmendësh. aq më shumë do t’i rritet grada në xhenet.

Dhe është për t’u çuditur që shumica prej nesh e lë anash leximin e Kuranit dhe praktikimin e tij, edhe pse e di vlerën e tij. Prijësi i muslimanëve,

Othmani, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Sikur të ishin zemrat tona të pastra, nuk kishin për t’u ngopur nga fjalët e Allahut.” 

Dhe për këtë Allahu i Lartmadhërishëm ka thënë: “E kur zbret ndonjë kaptinë, ka prej tyre që thonë: “Cilit prej jush ia shtoi kjo besimin?”
Sa u përket atyre që besuan, atyre u shtohet besimi dhe gëzohen për të. E sa u përket atyre që kanë sëmundje në zemrat e tyre,
ajo (zbritja e kaptinës) ndytësisë së tyre u shton ndytësi dhe ata vdesin si jobesimtarë.” (Et-Teube, 124-125) 


Ky ajet ka treguar gjendjen e besimtarëve dhe gjendjen e munafikëve kur dëgjojnë Kuran; kur muslimanëve u shtohet besimi gjatë dëgjimit të tij,
munafikëve u shtohet hipokrizia e tyre, prandaj le të kenë kujdes besimtarët që të mos jenë prej grupit të hipokritëve.

Dhe për këtë shkak besimtari duhet t’u kushtojë kujdes këtyre gjërave:

1. Ta lexojë Kuranin me përkushtim: Allahu i Lartmadhërishëm thotë: “(Ky është) Libër i begatshëm, Ne ta shpallëm ty këtë, që t’i studiojnë argumentet
e tij dhe që të marrin mësim prej tij ata që kanë mend.” (Sad, 29)

2. Të përsëritet ajo që është mësuar përmendësh: Transmeton Ebu Musa, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë:

“Angazhohuni me këtë Kuran, se pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, ky Kuran ikën më shpejt sesa deveja nga litari.”
Buhariu nr. 5033 dhe Muslimi 1/545. 

Këtu Pejgamberi salallahu alejhi ue selem e ka krahasuar Kuranin me lidhjen e devesë. Pra, ai i cili nuk i kushton rëndësi lidhjes së devesë ka mundësi t’i ikë deveja.
 
Ai që nuk i kushton rëndësi Kuranit duke mos e përsëritur atë që ka mësuar, atëherë Kurani do t’i ikë nga memoria.

3. Nuk bën të braktiset kurani: Allahu i Lartmadhërishëm thotë: “Pastaj i Dërguari (Muhamedi a.s.) do të thotë: “O Zoti im!
Vërtet që populli im e braktisi këtë Kuran.” (El Furkan, 30) 

Për këto shkaqe duhet t’i kushtojmë rëndësi Kuranit si në lexim edhe në mësimin
e tij përmendësh dhe në praktikimin e tij.

Allahu na bëftë prej atyre që e lexojnë Kuranin dhe e praktikojnë atë!

Përktheu: Eroll Nesimi

 

Post a Comment