4- Ali bin Ebi Talib-10 Te pergezuarit e pare me Xhennet



Ali bin Ebi Talib (35 h – 40 h)

Falënderimi i takon vetëm Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi vulën e Profetëve Muhamedin, familjen e tij të bekuar, shokët e tij besnik si dhe të gjithë ata të cilët ndjekin rrugën e tij deri në ditën e Gjykimit.

O Zoti ynë Ty të takon falënderimi ashtu sikur është meritë për Madhërinë e pushtetit Tënd! Ty të takon falenderimi derisa të kënaqesh, Ty të takon falenderimi edhe kur je i kënaqur, dhe përsëri Ty të takon falenderimi edhe pasi kënaqesh.
Përcillet nga Abdurrahman Bin Aufi se Profeti salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Dhjetë vetë janë në Xhenet: Ebu Bekri është në Xhenet, Umeri është në Xhenet, Uthmani është në Xhenet, Aliu është në Xhenet, Talha është në Xhenet, Zubejr ibën ebi Auam është në Xhenet, Abdurrahman bin Aufi është në Xhenet, Sad ibën ebi Uekas është në Xhenet, Seid bin Zejd është në Xhenet dhe Ebu Ubejde ibnu Xherah është në Xhenet”.[1]
Personi i katërt me të cilin do të qëndrojmë, është një ndër të parët në islam, djaloshin më të guximshëm, dhëndrin e Profetit dhe djalin e xhaxhait të tij Ali ibën ebi Talibin, si dhe babain e zotërinjve të djelmoshave të Xhenetit.

Lindja, emri dhe disa epitete të tij

Ai ishte Ali bin ebi Talib, djali i xhaxhait të Profetit salallahu alejhi ue selem. U martua me vajzën e Profetit salallahu alejhi ue selem është halifeja i katërt i drejtë, një prej dhjetë të përgëzuarve me xhenet. U lind dhjetë vjet para shpalljes,[2] babai i tij ishte Ebu Talib bin Abdul Mutalib bin Hashim bin Abdi Menaf.

Aliu (radiallahu anhu) njihet me pseudonimin Ebu Sibtejni (babai i dy nipave të Profetit salallahu alejhi ue selem, Hasanit dhe Husejnit) dhe pseudonimi tjetër i tij është Ebu Turab, pseudonim të cilin ia vendosi Profeti salallahu alejhi ue selem, madje ai gëzohej kur dikush e thërriste me të. Shkaku i këtij pseudonimi është se Profeti salallahu alejhi ue selem, shkoi tek Fatimja (vajza e tij) dhe nuk e gjeti Aliun në shtëpi, i tha Fatimes: ku është djali i xhaxhait tënd? Ajo iu përgjigj: ndodhi një keqkuptim mes meje dhe tij dhe nuk më tha gjë se ku do të shkonte. Profeti dërgoi dikënd ta gjente dhe ai i erdhi e i tha se Aliu ishte i shtrirë në xhami. Kur shkoi Profeti, e gjeti të shtrirë në tokë, pelerine i kishte rënë nga supi dhe ai kishte prekur dheun, Profeti filloi t’ia pastronte dheun nga supi e i thoshte: Çohu o Ebu Turab”.[3]

Islami i tij

Aliu ishte i pari që pranoi islamin nga fëmijët dhe jetonte nën kujdestarinë e Profetit salallahu alejhi ue selem i cili mori përsipër ta rriste dhe edukonte ashtu që ta lehtësonte xhaxhin e tij. Kur i erdhi shpallja Profetit salallahu alejhi ue selem, ai e ftoi Aliun (radiallahu anhu) në islam i cili iu përgjigj thirrjes dhe ia vërtetoi fjalën Profetit salallahu alejhi ue selem,[4] kjo ndodhi në moshën 8 ose 10 vjeçare.

Gratë dhe fëmijët e tij

Bashkëshortja e parë e Aliut ishte Fatimja e bija e Profetit salallahu alejhi ue selem e cila i lindi atij Hasanin dhe Husejnin dhe pas vdekjes së saj ai u martua dhe me disa gra të tjëra, të cilat lindën shumë fëmijë.

Thuhet se Aliu ka patur katërmbëdhjet djem dhe shtatëmbëdhjet vajza (pra tridhjet e një fëmijë) ku prej tyre veç Hasanit dhe Husejnit spikasin djemtë e tij Ebu Bekri, Umeri dhe Uthmani,[5] dhe kjo tregon për dashurinë që kishte Aliu për këta sahabe Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata.

Disa cilësi të tij

Aliu (radiallahu anhu) ishte i dijshëm, i zgjuar, i jepte rëndësi të veçantë përmbushjes dhe respektimit të premtimeve, u bë i njohur për karakterin, oratorinë dhe trimërinë e tij. Ai ishte larg nga lakmia e kësaj bote dhe bukurive të saj, e donte natën për shkak të ibadetit që bëhej në të, nuk i jepte rëndësi ushqimit dhe veshjes, i madhëronte muslimanët, i mbante afër të varfrit dhe thoshte duke iu drejtuar kësaj bote: Koha jote është e shkurtër qëndrimi me ty është i nënçmuar dhe rreziku yt është i vogël.[6] Ah, ah, sa pak po përgatitemi për një udhëtim të largët dhe sa rrugë e vështirë që është”.[7] Gjithashtu në një fjalë tjetër thotë: “Po ikën kjo botë duke na kthyer shpinën dhe po na afrohet bota tjetër, ku çdonjëra prej tyre do të ketë banorët e saj. Prandaj bëhuni prej banorëve të botës tjetër dhe mos u bëni banorë të dhënë pas kësaj bote, dhe dijeni se sot është koha e punës (e angazhimit dhe veprave) dhe nuk ka llogari, ndërsa nesër është koha e llogarisë dhe nuk ka më mundësi për vepra”.[8]
Aliu (radiallahu anhu) nuk kursente asgjë për në rrugën e Allahut duke sakrifikuar gjithë çfarë kishte, derisa pranoi të flijonte edhe veten, duke u shtrirë në shtratin e Profetit salallahu alejhi ue selem natën e hixhretit të tij megjithëse e dinte se kurejshët do të vinin atë natë për të vrarë Profetin salallahu alejhi ue selem në shtratin e tij. Gjithashtu ka marrë pjesë me Profetin salallahu alejhi ue selem në të gjitha luftërat përveç asaj të Tebukut.[9]


Pjesmarrja e tij në luftra dhe kontributi i tij në kohën e Profetit salallahu alejhi ue selem

Në luftën e Bedrit Aliu radijallahu anhu ishte një ndër protagonistët kryesorë. Para se të fillonte lufta, Utbe bin Rrabia vëllai i tij shejbe bin Rrabia dhe djali i tij Uelid bin Utbe kërkuan dyluftim me njerëz nga fisi i tyre, djemtë e Mutalibit. Profeti u drejtua nga sahabet dhe tha: Dil o Ali, çohu Hamza edhe ti Ubejde bin Harith bin Abdulmutalib dhe në këtë dyluftim u vranë të tre idhujtarët dhe u plagos Ubejde.[10]

Ndërsa në luftën e Uhudit lufta filloi me dyluftimin mes Aliut dhe Talha bin Uthmanit i cili ishte në anën e idhujtarëve madje mbante dhe flamurin e luftës së tyre. Aliu iu dretua atij duke i thënë: Pasha atë në dorën e të cilit gjendet shpirti im, nuk do të lë derisa të çojë Allahu nëpërmjet shpatës time në zjarr, ose të më çojë mua nëpërmjet shpatës tënde në Xhenet. Filloi dyluftimi dhe Aliu e goditi në këmbë dhe Talha ran ë tokë, iu zbulua aureti dhe ai iu drejtua Aliut duke thënë: Të kërkoj për hir të Allahut dhe për shkak të lidhjes tonë familjare të më mëshirosh. Dhe Aliu e la e nuk e vrau.[11]

Pasi u ndez lufta ai luftoi në anën e djathtë të ushtrisë dhe pasi u vra Mus’ab bin Umejri mori flamurin e Muslimanëve dhe në këtë luftë vrau shumë idhujtarë. Madje kur u hap lajmi se Profeti u vra, ai e theu këllufin e shpatës dhe me një vendosmëri tha: Atëhere jeta nuk ka më vlerë pas vdekjes së tij dhe u sul sikur luan në rreshtat e armiqve, kur para tij më pas del Profeti salallahu alejhi ue selem.

Aliu në luftën e Hajberit.

Në luftën e Hajberit Profeti salallahu alejhi ue selem rrethoi kështjellat e çifutëve të cilët e thyen paktin dhe luftuan Profetin, pas ditësh të tëra rrethimi ai tha: “Do t’ia jap nesër flamurin dikujt që e do Allahun dhe Profetin dhe e do atë Allahu dhe Profeti”. Njerëzit atë natë gdhinë duke pritur se kush do ta kishte këtë nder. Në mëngjes Profeti tha: “Ku është Aliu?” Ai është në çadrën e tij vuan nga sytë o i dërguar i Allahut. Profeti urdhëroi t’ia sillnin dhe ai u lut për Aliun, bështyu në sytë e tij, dhe atij iu shëruan sytë sikur të mos kishte vuajtur kurrë më parë. Pastaj i tha: “Ec i qetë derisa të arrishë tek ata e më pas ftoi në Islam dhe të drejtat e Allahut ndaj tyre, sepse nëse Allahu udhëzon dikënd nëpërmjet teje është më mirë se devetë e kuqe”.[12]

Ndërsa në luftën e Tebukut Profeti salallahu alejhi ue selem, e la Aliun si mëkëmbës të Medines, Aliu iu drejtua dhe i tha: O i dërguar i Allahut, a po më len me pleqtë dhe fëmijët? Atëhere Profeti i tha: “O Ali! A nuk dëshiron të jeshë tek unë sikur pozita e Harunit me Musain, veçse nuk ka Profet pas meje”.[13] Në realitet Aliu ia kërkoi këtë gjë Profetit pasi dëgjoi fjalë fyese për të nga hipokritët.

Aliu Allahu qoftë i kënaqur me të në momentin e vdekjes së Profetit salallahu alejhi ue selem, pati nderin që të lante trupin e pastërt të Profetit dhe ta varroste atë duke hyrë vetë në varrin e tij.


Aliu në kohën e Halifeve

Thuhet se Aliu radijallahu anhu u vonua në dhënien e besës Ebu Bekrit po ashtu eshe Zubejr bin Auami, porse në të vërtetë ai që shikon ngjarjet dhe rrjedhën e tyre e kupton se ai nuk është vonuar dhe se aid he Zubejri ishin të justifikuar. Aliu dhe Zubejri u morën me kujdesjen e xhenazes së Profetitsalallahu alejhi ue selem, larjen dhe pregatitjen e varrit të tij, ndaj dhe ai nuk ishte në momentin kur njerëzit i dhanë besën Ebu Bekrit. Kur Ebu Bekri hipi në member, hodhi një vështrim ndër njerëz dhe nuk i zuri syri Aliun dhe Zubejrin, dërgoi njerëz t’i gjenin dhe ata erdhën në xhami dhe i dhanë besën Ebu Bekrit”.[14] Madje vet Aliu tregon kur mban hytbe në Kufe, pasi lavdëroi Ebu Bekrin dhe Umerin tha: “Muslimanët ua dhanë besën atyre të kënaqur dhe unë isha i pari nga bijtë e Mutalibit që ia dhashë besën”.[15] Aliu më pas ishte një ndër konsulentët e Ebu Bkerit, Umerit dhe Uthmanit, ai qëndroi në krah të tyre qoftë në luftën kundër dezertorëve dhe qoftq në luftërat çliruese të cilat u ndërmorën në kohën e Umerit dhe Uthmanit Allahu qoftë i kënaqur me ta.
Madje Umeri e ka lënë Aliun si mëkëmbës të tij në Medine disa herë. Ndërsa Aliu e martoi vajzën e tij Umu Kulthumin me Umerin dhe kjo ishte një shenjë miqësisë, respektit dhe vlerësimit që kishin me njëri-tjetrin.
Po ashtu Umeri e zgjodhi Aliun për të qenë tek të gjashtë sahabet që meritonin për të qënë halife i muslimanëve pas tij.

Ai po ashtu ndogji të njëjtën politikë edhe me Uthmanin dhe hilafetin e tij, madje ishte konsulent i afërt i Uthmanit, ishte i dyti që i dha besën atij, e mbështeti Uthmanin në nismat e tij si mbledhja e Kuranit në një dialect të vetëm, luftërat e tij çliruese në afrikë etj.
Madje kur ndodhi fitnja e vrasjes së Uthmanit ai para se të vritej Uthmani, dërgoi një mesazh tek ai ku i thoshte: Unë kam njerëz që janë mbledhur rreth meje dhe janë të gatshëm të luftojnë për të mbrojtur ty, sepse ti je në të drejtën. Por Uthmani e dinte që do të vritej, ndaj kërkoi prej të gjithëve që të mos merrnin luftë në medine dhe se ky ishte urdhër i tij për të gjithë ata që e dëgjonin.

Madje bijtë e Aliut edhe pas vdekjes së Uthmanit patën lidhje martese ndërmjet tyre, dhe pikërisht Eban bin Uthman u martua Umu Kulthum vajzën e Xhaferrit. Po ashtu bija e Husejnit u martua me nipin e Uthmanit.

Disa hadithe rreth vlerës së Aliut radiallahu anhu

Vlerat dhe mirësitë e Aliut radillahu anhu janë të shumta, prej tyre: Ishte i pari prej fëmijëve që pranoi islamin, ishte ai që thërriti kurejshët të grumbulloheshin rreth Profetit salallahu alejhi ue selem, kur u bëri ftesë për në islam, pranoi të flijonte veten e tij për Profetin salallahu alejhi ue selem natën e hixhretit, ishte një prej tre muslimanëve që dolën në duel në luftën e Bedrit. Ishte ai që vrau Amru bin Udin, mushriku kurejsh që arriti të kalonte kanalin në luftën e Hendekut, ishte prej atyre që mbrojtën Profetin salallahu alejhi ue selem me trupin e tyre në luftën e Uhudit, ishte personi që mbajti flamurin e çlirimit në luftën e Hajberit, ishte ai të cilin e urdhëroi  Profeti salallahu alejhi ue selem, tu komunikonte njerëzve në haxh suren Teube, si dhe një prej atyre që përgatitën xhenazen e Profetit salallahu alejhi ue selem.

1. Nga Zejd bin Erkami thotë: U ngrit Profeti salallahu alejhi ue selem një ditë dhe mbajti hytbe në një vend mes Mekës dhe Medines, tek një ujë që quhet Hamen ku pasi që falenderoi Allahun (xheleshanuhu) dhe e lavdëroi Atë, këshilloi dhe përkujtoi, dhe më pas tha: “O ju  njerëz unë jam njeri dhe pritet që të më vijë i dërguari i Zotit tim (meleku i vdekjes) e unë t’i përgjigjem atij, prandaj unë po ju lë juve dy gjëra: E para gjë është libri i Allahut në të cilën gjendet udhëzimi dhe drita, prandaj kapuni pas librit të Allahut (xheleshanuhu) dhe shtrëngohuni fort pas tij”. Vazhdoi të nxiste për tu kapur pas librit të Allahut e pastaj tha: “U porosis dhe në lidhje me anëtarët e familjes time (Ehli Bejtin). U përkujtoj me Allahun (xheleshanuhu) në lidhje me anëtarët e familjes time, (tre herë)…..”[16]

2. Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kë e kam dashur unë, edhe Aliun do ta ketë të dashur”.[17]

3. Nga Aliu radiallahu anhu, përcillet se ka thënë: Më dërgoi mua Profeti salallahu alejhi ue selem në Jemen kur isha djalosh në moshë të re, thashë: O i dërguari i Allahut, ti po më dërgon mua tek një popull me ngjarje të shumta mes tyre dhe unë jam një djalë në moshë të re. Profeti salallahu alejhi ue selem tha: “O Allah udhëzoje zemrën e tij dhe forcoje gjuhën e tij. O Ali! Mos gjyko mes dy palëve derisa të dëgjosh prej njërit siç dëgjove prej tjetrit”. Aliu radiallahu anhu thotë: Pas kësaj fjale nuk kam pasur mëdyshje në gjykimin mes dy personave.[18]

4. Nga Sehl bin Sadi thotë: Hyri Aliu radiallahu anhu tek Fatimeja, pastaj doli dhe u shtri në xhami. Pas pak erdhi Profeti salallahu alejhi ue selem dhe pyeti Fatimen: “Ku është djali i xhaxhait tënd? Tha: Është në xhami. Profeti salallahu alejhi ue selem doli dhe e pa që i kishte rënë rroba e tij nga shpina dhe i ishte ngjitur dheu në shpinë. Filloi t’ia fshinte dheun duke i thënë: “Ngrihu o Ebu Turab (dy herë)”.[19]

5. Nga Hubshij bin Xhunadeh thotë: Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Aliu është prej meje dhe unë jam prej tij”.[20]

6. Nga Ziri përcillet se tha: Aliu radiallahu anhu ka thënë: “Më ka dhënë Profeti salallahu alejhi ue selem, një premtim (zotim) se nuk më do mua veçse ai që është besimtar dhe nuk më urren mua veçse ai që është munafik”.[21]

7. Umeri radiallahu anhu ka thënë: “Vdiq Profeti salallahu alejhi ue selem duke qenë i kënaqur ndaj tij (Aliut)”.[22]

8. Nga Mus’ab bin Sadi nga babai i tij i cili ka thënë: Doli Profeti salallahu alejhi ue selem, për në luftën e Tebukut dhe la si zëvendës Aliun. Aliu radiallahu anhu tha: A po më lë të qëndroj me gratë dhe fëmijët? Profeti salallahu alejhi ue selem tha: “A nuk je i kënaqur që të jesh në lidhje me mua ashtu siç ishte Haruni me Musain përveç faktit se pas meje nuk ka më profet”.[23]

9. Nga Sehl bin Sadi përcillet se Profeti salallahu alejhi ue selem në ditën e Hajberit tha: “Do t’ia jap nesër këtë flamur një personi nëpërmjet të cilit Allahu do të na japë çlirimin (fitoren), person ky që e do Allahun dhe Profetin e Tij, gjithashtu dhe Allahu dhe Profeti i Tij e duan këtë person. Thotë (Sehli): Atë natë të gjithë njerëzit nuk fjetën duke diskutuar se kujt do t’i jepet. Kur u gdhi mëngjesi, njerëzit u mblodhën rreth Profetit salallahu alejhi ue selem duke shpresuar gjithsecili që t’i jepej ky flamur. Profeti salallahu alejhi ue selem tha: “Ku është Ali bin Ebi Talib? Thanë: O i Dërguari i Allahut ankohet nga sytë (nuk shikon mirë, ka dhimbje). Tha: “Ma thërrisni”. E sollën Aliun (radiallahu anhu), Profeti salallahu alejhi ue selem ia bëri sytë me pështymën e tij të bekuar dhe e luti Allahun (xheleshanuhu) që ta shëronte dhe u shërua sikur mos të kishte pasur kurrë dhimbje dhe ia dha flamurin. Aliu (radiallahu anhu) tha: “O Rasulullah do t’i luftoj derisa të bëhen si ne (muslimanë). Profeti salallahu alejhi ue selem tha: “Vazhdo në atë që je nisur derisa të zbresësh në tokën e tyre pastaj thërriti në islam dhe lajmëroi për detyrat që kanë ndaj Allahut (xheneshanuhu). Vallahi sikur Allahu të udhëzojë nëpërmjet teje një person të vetëm kjo është më e mirë për ty se sa të kesh një kope me deve të kuqe”.[24]

10. Nga Dahak bin Muzahim përcillet se ka thënë: Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “O Ebu Turab, a dëshiron të të tregoj për dy njerëzit më të këqinj (më të prishur) të të gjitha kohërave! Tha: Patjetër o i dërguari i Allahut. Tha: “Uhejmiri, i popullit Themud, ai i cili theri devenë dhe ai i cili do të të godasë ty këtu (bëri me shenjë ballin e Aliut) derisa të laget kjo (mjekra) nga gjaku”.[25]

11. Nga Sefijneh bin Ebi Abdurrahman ka thënë: Kam dëgjuar Profetin salallahu alejhi ue selem duke thënë: “Halifati (i drejtë) pas meje do të jetë 30 vjet, pastaj do të jetë sundim (mbretëri)”. Sefineh thotë: Ebu Bekri e mbajti halifatin dy vjet, pastaj Umeri dhjetë vjet, pastaj Uthmani dymbëdhjetë vjet dhe më pas Aliu gjashtë vjet”.[26]

12. Nga Ebu Seidi transmetohet se ka thënë: Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Do të vritet Amari nga pala zullumqare, ai  i thërret ata për në Xhenet ndërsa ata e thërrasin për në zjarr”.[27]  Tha Amari: Kërkoj mbrojtje tek Allahu nga fitnet. Amari  ishte pjesëtar i ushtrisë së Aliut radiallahu anhu).[28]

Ali Ibën ebi Talib (2)

Marrja e halifatit dhe besatimi  i sahabëve

Pas vrasjes së Uthmanit radiallahu anhu, muslimanët zgjodhën si prijës të tyre Aliun (radiallahu anhu) i cili në fillim nuk pranoi, por kur pa këmbënguljen e sahabëve e mori përsipër halifatin ashtu që t’i jepte fund fitneve dhe t’i largonte rebelët, komplotistët të cilët kishin në dorë Medinen. Këta të fundit u dhanë ultimatum sahabëve se n.q.s. nuk zgjidhnin një halife brenda dy ditëve atëherë do të vrisnin anëtarët e konsultimit (shuras), sahabët e mëdhenj: Aliun, Talhan, Zubejrin dhe kë të mundnin tjetër. Duke parë këtë gjendje u mblodhën muhaxhirët dhe ensarët rreth Aliut i cili e pa si obligim ta merrte përsipër drejtimin e halifatit, kështu që në datën 19 Dhulhixheh Aliu doli në xhami, hipi në minber dhe aty ia dhanë besën muhaxhirët, ensarët dhe kush ishte tjetër aty, mes tyre ishin Zubejr bin Auam dhe Talha bin Ubejdullah.
Allahu (xheleshanuhu) është i Gjithdijshmi, i Urti, i Drejti në caktimin e Tij dhe gjykimin e Tij.

Nga caktimi i Allahut (xheleshanuhu) ishte që të zgjaste fitneja pas vrasjes së Uthmanit (radiallahu anhu) si sprovë me të cilën Allahu i sprovoi muslimanët, fitne kjo që u ripërtëri me ngjarje të reja të organizuara dhe të nxituara nga armiqtë e islamit me në krye çifutin Abdullah bin Sebe.

Punët më kryesore që ndërmori Aliu (radiallahu anhu) pasiqë mori halifatin

1. Aliu (radiallahu anhu) ndërroi disa përgjegjës të kohës së Uthmanit prej të cilëve njerëzit ankoheshin, si dhe largoi çdo përgjegjës i cili nuk pajtohej me politikën e tij.
2. Aliu (radiallahu anhu) e pa më të arsyeshme që ta vononte ndëshkimin e vrasësve të Uthmanit derisa të forcohej pushteti i tij dhe të mblidheshin rreth tij muslimanët e vendeve të tjera (të largëta). Shumë prej këtyre përgjegjësve iu përgjigjën urdhrit të Aliut, por një pjesë prej tyre refuzuan t’i përgjigjen urdhrit të tij. Në krye të atyre që nuk iu përgjigjën ishte Muavije bin Ebi Sufjan. Shkak për këtë mos përgjigje ishte këmbëngulja e Muauies (radiallahu anhu) për domosdoshmërinë e ndëshkimit urgjent të vrasësve të Uthmanit para se t’i jepej besa Aliut (radialllahu anhu) dhe ky ishte fillimi i mosmarrëveshjeve. Ajo e cila ndodhi mes Aliut dhe Muauies ishte e ndërtuar mbi ixhtihadin e gjithsecilit prej tyre prandaj ehlu suneh uel xhemeah kanë vendosur se: çdonjëri prej atyre dyve është i shpërblyer (ka sevape), ai që ia ka qëlluar të vërtetën ka dy shpërblime ndërsa ai që ka gabuar ka një shpërblim siç thotë dhe Profeti salallahu alejhi ue selem: “Kur përpiqet gjykatësi (dijetari) dhe gjykon, nqs ia qëllon të vërtetës ka dy shpërblime ndërsa nqs gabon ka një shpërblim”.[29]

Shejh Ibën el Uthejmin në shpjegimin e librit Akidetul Uasitijeh thotë: Ajo çfarë ndodhi mes Aliut dhe Muauies ishte ndërtuar në bazë të ixhtihadit (përpjekjes për të gjetur të vërtetën) mirëpo nuk ka dyshim se Aliu (radiallahu anhu) ishte më afër të vërtetës se sa Muauia (radiallahu anhu) bile për pak sa nuk mund të themi në mënyrë të prerë se Aliu (radiallahu anhu) ishte në të vërtetën. Si argument që na tregon se Aliu (radiallahu anhu) ishte më afër së vërtetës, është fjala e Profetit salallahu alejhi ue selem: “Mjerë për Amarin, do të vritet nga pala zullumqare” dhe dihet se Amari (radiallahu anhu) u vra nga ushtarët e Muauies, ndaj arrihet në përfundimin  se pala e Muauies ishte pala zullumqare të cilët dolën kundra imamit (prijësit), mirëpo ata e bënë këtë në bazë të ixhtihadit (prandaj mëkati i tyre është i falur). Duke qenë se Allahu (xheleshanuhu) i ruajti duart tona nga pjesëmarrja në këto fitne, atëherë le t’i ruajmë dhe gjuhët tona që të mos flasim rreth tyre atë që nuk është e vërtetë.
Si rezultat i këtyre mos marrëveshjeve të cilat u shfrytëzuan nga armiqtë e islamit ndodhën dy luftëra të padëshiruara, keq ardhëse ku secila palë mendonte se ishte në të vërtetën.

Lufta e parë:  Beteja e xhemelit (devesë 36 H)

Shkak i kësaj lufte ishte dalja e Aishes (radiallahu anha) së bashku me Talhan, Zubejrin dhe shumë njerëz të tjerë të cilët u nisën për në Basra me nijetin e mirë për të qetësuar gjendjen, për të afruar zemrat e për të pajtuar mes njerëzve, duke pasur parasysh fjalën e Allahut (xheleshanuhu): “Nuk ka dobi në shumë biseda të fshehta që bëhen përveç ata që urdhërojnë për sadaka apo vepra bamirësie apo pajtim mes njerëzve” (Nisa 114).
Kur Aliu (radiallahu anhu) dëgjoi për daljen e Aishes drejt Basras, mori ushtrinë e tij dhe doli të takohej me ta duke dëshiruar edhe ai pajtimin dhe përmirësimin. Kjo gjë shihet qartë me dialogun që zhvilloi me disa njerëz të tij, kur u pyet: Për ku je nisur o emiri i besimtarëve? Jemi nisur për pajtim dhe përmirësim nqs pranon Aishja dhe ata që janë me të. I thanë: Po nqs ata nuk përgjigjen ashtu siç dëshiron ti? Tha: I lëmë ata në justifikimin e tyre, u japim hakun që u takon dhe vazhdojmë në rrugën tonë. I thanë: Po n.q.s. nuk kënaqen me këtë? Tha: Do t’i lëmë (rehat) për aq kohë sa ata na lënë neve. I thanë: Po n.q.s. nuk na lënë? Tha: Atëherë do të mbrohemi.

U takuan dy palët, Aliu (radiallahu anhu)  bisedoi me Aishen (radiallahu anha) dhe u arrit mirëkuptimi mes tyre, duke kaluar kështu të dy ushtritë një natë të mirë dhe të qetë. Mirëpo nxitësit e fitnes (Abdullah bin Sebe me shokët e tij) ia kishin frikën kësaj marrëveshjeje dhe këtij mirëkuptimi sepse do të zbulohej çështja e tyre dhe do të vriteshin, prandaj aty rreth mëngjesit u ndanë këta munafikë në dy grupe ku secili grup sulmoi kampin e tjetrit duke krijuar idenë se u shkel marrëveshja dhe secila ushtri po sulmonte tjetrën. Kjo bëri që njerëzit të merrnin armët dhe të fillonte lufta. Kjo luftë u ndërpre vetëm pasi që u vra deveja e Aishes (radiallahu anha) dhe ajo u rrëzua, ky fakt shënoi fundin e kësaj beteje. Aliu (radiallahu anhu) përgatiti udhëtimin e kthimit të Aishes së bashku me të vëllanë e saj Muhamed bin Ebi Bekr dhe i shoqëroi vetë në Medine.

Lufta e dytë:  Beteja e Sifinës (37 H)

Edhe kjo betejë si ajo e para ishte rezultat i nxitjes së munafikëve të cilët shfrytëzuan mosmarrëveshjen që ekzistonte mes Aliut dhe Muauies (shkaqet e kësaj mosmarrëveshjeje i kemi sqaruar më lartë). Pala e Aliut kishte nënshkruar një marrëveshje me palën e Muauies në të cilën përcaktohej një periudhë 6 mujore për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, gjë kjo e cila tregon se të dyja palët e urrenin luftën dhe kërkonin zgjidhje me mirëkuptim. Mirëpo edhe kjo gjë nuk çoi në zhbllokimin e situatës ku si pasojë filloi lufta. Në fillim u zhvilluan ca përleshje të vogla për shkak të ujit i cili gjendej nën zotërimin e ushtrisë së Muauies. Ushtarët e Aliut (radiallahu anhu) dolën fitimtarë dhe i përzunë ushtarët e Muauies, mirëpo Aliu (radiallahu anhu) urdhëroi ushtarët e tij që të merrnin ujë aq sa kishin nevojë dhe t’ia linin ujin përsëri ushtarëve të Muauies. Vazhdoi lufta mes dy ushtrive pa një epërsi të dukshme nga asnjëra palë, megjithëse fitorja anonte më shumë nga ana e Aliut.

Ndalimi i gjakderdhjes mes ushtrisë së Irakut dhe asaj të Shamit

U shqetësuan shumë disa besimtarë të sinqertë dhe kishin frikë se me këto luftëra muslimanët do shkatërronin njëri-tjetrin, prandaj duhej ndërprerë lufta sa më parë. Një nga këta besimtarë të sinqertë ishte Amru bin el As i cili propozoi çështjen “E gjykimit”. Ky propozim i pëlqeu Muauies prandaj urdhëroi ushtrinë e tij që t’i ngrinin lart mus’hafët (Kuranat) si shenjë për ndalimin e luftës. Kur ushtarët e Aliut (radiallahu anhu) e panë këtë, u ndalën dhe e ndërprenë luftimin. çështja e “gjykimit” kishte si parim të zgjidhej një përfaqësues nga ana e Aliut dhe një përfaqësues nga ana e Muauies. Këta të dy do të diskutonin me njëri – tjetrin dhe të arrinin një marrëveshje të kënaqshme për të dyja palët. 

Aliu (radiallahu anhu) zgjodhi si përfaqësues të tij Ebu Musa el Esharij, ndërsa Muauia (radiallahu anhu) zgjodhi Amru bin el As. Dy përfaqësuesit e palëve ranë dakord që të mblidheshin vitin e ardhshëm dhe të gjykonin këtë çështje pas një shqyrtimi të hollësishëm. U mblodhën përfaqësuesit e dy palëve dhe u përpoqën që të pajtojnë mirëpo pa rezultat. Mos arritja e një marrëveshje e bëri të pavlefshme çështjen e gjykimit dhe si pasojë vazhdonte gjendja ashtu siç ishte. Pas një farë kohe ata vendosën tu riktheheshin përsëri bisedimeve ku si përfundim ranë dakord që Aliu të sundonte Irakun ndërsa Muauia të sundonte Shamin.

Ngjarja e Nehrauanit

Pas çështjes së gjykimit u kthyen ushtritë për në vendet e tyre. Kur Aliu (radiallahu anhu) iu afrua Kufes, një pjesë e ushtrisë së tij (rreth 12 mijë vetë) u shkëput duke urrejtur dhe qortuar disa gabime që sipas tyre i kishte bërë Aliu (radiallahu anhu). Këta njerëz ishin hauarixhët. Aliu (radiallahu anhu) dërgoi Abdullah bin Abasin që të diskutonte me ata dhe t’i bindte se ishin në gabim. Si rezultat i këtij diskutimi u kthyen shumica e tyre (rreth 8 mijë) ndërsa pjesa tjetër vazhduan në humbjen e tyre.

Këta (hauarixhët) filluan të bënin shkatërrime në tokë, derdhnin gjaqet, ndërprisnin rrugët dhe shkelnin shenjtërinë e muslimanëve. Ndër ata të cilët u vranë nga hauarixhët ishte Abdullah bin Habab së bashku me gruan e tij (të cilës ia canë barkun dhe i nxorrën foshnjen që kishte) dhe tre gra të tjera. Këto ngjarje e tronditën Aliun (radiallahu anhu) i cili  dërgoi një të dërguar tek këta për të vërtetuar lajmet e ardhura, mirëpo i dërguari i Aliut (radiallahu anhu) u vra nga hauarixhët.

Aliu (radiallahu anhu) u nis me ushtrinë e tij drejt hauarixhëve, në fillim kërkoi prej tyre që të dorëzonin vrasësit e Abdullah bin Hababit dhe të dërguarit të tij, mirëpo ata refuzuan duke thënë: Të gjithë ne jemi vrasësit e tyre. Kjo çoi në fillimin e luftës e cila mbaroi me dështimin dhe humbjen e hauarixhëve. Beteja u zhvillua në Nehrauan, një zonë në juglindje të Bagdadit dhe kjo betejë ishte shkaku nxitës i havarixhëve për vrasjen e Aliut (radiallahu anhu).

Shehidllëku i Aliut (radiallahu anhu)

Aliu (radiallahu anhu) ra shehid ditën e 17-të të muajit Ramazan të vitit 40 hixhrij. Ai që e vrau ishte Abdurrahman bin Mulxhim, një hauarixh i cili besonte se duke vrarë Aliun (radiallahu anhu) po afrohej tek Allahu (xheleshanuhu). Ky hauarixh sëbashku me dy shokët e tij u mblodhën duke përkujtuar ngjarjet dhe fitnet dhe thanë: Ah, sikur t’i vrisnim kokat e fitnes dhe të humbjes ashtu që të rehatoheshin njerëzit prej tyre. Ibën Mulxhimi tha: Unë marr përsipër të vras Aliun (radiallahu anhu). Berëk bin Abdullahi tha: Unë vras Muauien. Amër bin Bekri tha: Unë e vras Amru bin el Asin. Ranë dakort që t’i kryenin vrasjet brenda një nate të vetme, Ibën Mulxhimi arriti që ta vriste Aliun (radiallahu anhu) me një shpatë të helmuar kur ai po shkonte në xhami për namaz të sabahut duke thërritur: Namazi, namazi, ashtu që t’i zgjonte njerëzit. Ndërsa dy të tjerët nuk arritën të vrisnin Muauien dhe Amru bin el Asin. Allahu e mëshiroftë Aliun, prijësin e besimtarëve dhe qoftë i kënaqur prej tij deri në ditën e gjykimit.


Viti i Bashkimit viti 41 H

Pas vrasjes së Aliut banorët e Irakut ia dhanë besën Hasanit (radillahu anhu) i cili menjëherë bëri gati ushtritë për të luftuar Muauien (radiallahu anhu), gjithashtu edhe Muauia u përgatit. Transmeton Buhariu në Sahihun e tij se Hasan el Basri tha: Uallahi ka ardhur Hasani (radiallahu nahu) dhe është vënë përballë Muauies me divizione ushtarake të mëdha si malet. Kur i pa këto, Amru bin el As tha: Me të vërtetë unë shoh se këto ushtri nuk do të kthehen pa e vrarë kundërshtarin e tyre. Muauia tha: O Amër, nqs ata na vrasin ne dhe ne i vrasim ata atëherë çfarë përfitova unë apo njerëzit? Çfarë përfituan bijtë e muslimanëve? Prandaj Muauia (radiallahu anhu) dërgoi dy burra nga kurejshët, Abdurrahman bin Semurah dhe Abdullah bin Amrin ashtu që t’i kërkonin Hasanit (radiallahu anhu) paqe dhe mirëkuptim. Këta të dy i kërkuan paqe dhe marrëveshje Hasanit, i cili pasi mori zotimet dhe garancitë e tyre jo vetëm që pranoi paqen dhe marrëveshjen por biles hoqi dorë nga halifati duke ia dorëzuar pushtetin Muauies (radiallahu anhu). Kjo ngjarje shënoi zhdukjen e fitneve dhe mosmarrëveshjeve njëherë e përgjithmonë mes muslimanëve. Kjo ndodhi në zbatim të fjalës së Profetit salallahu alejhi ue selem ashtu siç transmeton Buhariu: “Me të vërtetë ky djali im (nipi im, Hasani) është zotëri dhe shpresohet që Allahu (xheleshanuhu) të pajtojë me të dy grupe të mëdha muslimane”.






[1] Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesai, Ibnu Maxhah dhe Ahmedi.
[2] El Isabeh 4/269 dhe Fet-hul barij 7/91 te Ibnu Haxherit.
[3] Muslimi: 2409.
[4] Sirah nebeuijeh 1/229 te Ibnu Hishamit.
[5] Tabakat Kubra: 3/20. Dhe Alij bin Ebi Talib Muhamed Salab: 36-37.
[6] Dmth veshtiresite dhe lendimet qe hasen ne dynja jane te paperfillshme me denimin qe i kanoset njeriut ne Ahiret.
[7] Marre nga libri el Hulefa er-rashidun fq 87 te Eminul Kudah.
[8] Transmeton Ahmedi ne Fedailu es-sahabeh nr 881.
[9] Sijra nebeuijeh 2/91 te Ibnu Hishamit dhe el Isabeh 4/270 te Ibnu Haxherit.
[10] Alij bin Ebi Talib Muhamed Salab: 96.
[11] Esijretu el Halebije: 2/497.
[12] Muslimi: 3406.
[13] Buhari: 2404.
[14] Mustedrek: 3/76, dhe Sunen Kubra: 8/143. Zinxhirat e tyre janw tw saktw.
[15] Esed el Gabe: 4/166.
[16] Transmeton Muslimi.
[17] Transmeton Tirmidhiu nr 3713, etj. Albani e konsideroi te sakte. Ibn Haxheri ka thene: Ky hadith eshte me rruge te shumta transmetimi, saqe Ibwn Ukdeh i ka mbledhur ne nje liber te vetem, ku disa nga keto rruge transmetimi jane sahih ndersa disa te tjera jane hasen.
[18] Transmeton Ahmedi nga Fedailu es-sahabeh nr 984 , nr 1212 me zinxhir te sakte, Nesaiu ne veçorite e Aliut, me zinxhir hasen.
[19] Transmeton Buhariu nr 3703 dhe Muslimi 4/1874.
[20] Transmeton Buhariu. Fet-hul Barij 7/89, Tirmidhiu nr 3719, Albani e konsideroi hasen.
[21] Transmeton Muslimi 1/86, Tirmidhiu nr 3736,  Albani e konsideroi sahih.
[22] Transmeton Buhariu. Fet’hul Barij 7/89.
[23] Transmeton Buhariu nr 4416 dhe Muslimi 4/1870.
[24] Transmeton Buhariu nr 3701 dhe Muslimi 4/1872.
[25] Transmeton Ahmedi ne Fedailu es-sahabeh nr 953, Nesai ne Vecorite e Aliut fq 39, Begaui nr 301. Albani e konsideroi hasen.
[26] Transmeton Ahmedi 5/220, Ebu Daudi nr 4647, Tirmidhiu nr 2226 dhe tha hadith: Hasen. Ndersa Albani e vleresoi hadithin te sakte. Hafidh el Hakemij ne Mearixhul Kabul 3/1380 ka thene: Sefineh, veproi siç ishte zakoni i arabeve duke i rrumbullakosur shifrat, sepse llogarite e viteve te kater halifeve nuk i plotesojne 30 vitet e permendura ne hadith, perveçse nese i shtojme dhe gjashte muajt e sundimit te Hasan bin Aliut. Me pas ai u be shkak i pajtimit mes dy paleve ne konflikt, duke u dorehequr nga pushteti per Muavijen. Kjo i bashkoi njerezit ne nje halife te vetem, ndaj dhe u quajt viti i bashkimit, duke qene Muavija  mbreti i pare ne islam dhe me i miri i te gjitha koherave pas halifatit profetik.
[27] Transmeton Buhariu nr 447.
[28] Fet-hul Barij 7/95.
[29] Buhari.

Post a Comment