Allahu të bekoftë e të begatoftë në atë çka solle… dhe Allahu të bekoftë e të begatoftë në atë çka le (për familjen tënde).”
(Nga duaja e Pejgamberit a.s. për të)
Abdurrahman
bin Aufi është një ndër sahabët e mëdhenj, ka lindur dhjetë vjet pas
ngjarjes së elefantit.
Ky është njëri prej tetë të parëve që përqafuan
fenë islame…
‑ Njëri prej të dhjetëve të përgëzuar me Xhenet..
‑
Njëri prej gjashtë sahabëve që morën pjesë në konsultim në ditën e
zgjedhjes së halifes së muslimanëve pas vdekjes (vrasjes) së Umerit.
‑ Njëri prej atyre që jepnin “fetva” në Medinë dhe i Dërguari i Allahut ishte ende i gjallë në mesin e muslimanëve…
Emri dhe pseudonimet e tij
Ai
quhet Abdurrahman bin Auf, bin abd Auf, prej kurejshëve nga fisi Zuhra.
Para shpalljes (në kohën e injorancës) quhej Abdu Amrin, e pasi e
përqafoi fenë islame, Pejgamberi (a.s.) e quajti Abdurrahman. Ai ishte
një ndër sahabët e pasur, i cili u kujdes për bashkëshortet e Profetit,
salallahu alejhi ue selem, pas vdekjes së tij.
Abdurrahmani ishte një djalë i bukur, i gjatë, i hollë, me sy të bukur, i bardhë dhe me shpatulla të gjera.
Islami i tij
Ky
pra është Abdurrahman ibnu Avfi – Zoti qoftë i kënaqur me të. Fenë
islame e pranoi vetëm dy ditë pas Ebu Bekrit. dhe pak para se të hyjë i
Dërguari i Allahut (xh.sh.) në shtëpinë e Erkamit.[1]
I
përjetoi mundimet dhe torturat më të mëdha, vetëm për hir të fjalës së
Allahut, ashtu siç i përjetuan edhe muslimanët e parë, por ishte i
qëndrueshëm, duroi dhe nuk u ligështua, sepse ishte i sinqertë në
besimin e tij. Pas gjithë këtyre peripecive, u detyrua që të shpërngulet
në Abisini së bashku me shumë muslimanë të tjerë, vetëm e vetëm që ta
ruajë fenë dhe fjalën e Allahut xh.sh. E pasi të Dërguarit (a.s.) iu
lejua hixhreti në Medinë, ishte në grupin e muhaxhirëve të parë që u
shpërngulën atje.
Abdurrahman bin Aufi në Medine
Kur
Pejgamberi (a.s.) filloi t’i vëllazërojë muhaxhirët (mekasit) dhe
ensarët (medinasit), atë e vëllazëroi me Sad ibnu Ebi Rebian. Pas disa
kohësh, Sadi i tha Abdurrahman ibnu Aufit: “O vëllai im! Unë jam ndër më
të pasurit e Medinës. I kam dy kopshte, urdhëro e shiko se cili po të
pëlqen dhe merre! “ Abdurrahmani i tha vëllait të vet: “Allahu të dhëntë
bereqet e të begatoftë në pasurinë tënde, por të lutem ma trego tregun
më të afërt…” Ai filloi të tregtojë, të shesë, të blejë, të fitojë dhe
ta shtojë pasurinë. Pas një kohe të shkurtër e përgatiti mehr-in (dhuratën e nusërisë) u martua dhe i kënaqur e i disponuar shkoi te Pejgamberi (a.s.).
‑ Ç’kemi të re? – e pyeti Pejgamberi (a.s.).
- U martova – tha Abdurrahmani.
‑ E çfarë i dhurove bashkëshortes si mehr? – pyeti prapë Resulullahu.
‑ I dhurova peshën e 5 dërhemëve të arit – ia ktheu ai.
Atëherë Pejgamberi (a.s.) u lut për të duke thënë: “Allahu të begatoftë në pasurinë tënde…”
“Prej
atij momenti – thotë Abdurrahman ibnu Aufi – m’u hapën dyert e të
mirave të kësaj bote, saqë ma merrte mendja se në çdo gur, po ta lëvizja
nga vendi i vet, do të gjeja ar ose argjend.”
Në
luftën e Bedrit, Abdurrahman ibnu Aufi luftoi me një heroizëm të
rrallë e trimëri të pashoqe, duke mbytur njërin prej armiqve më të
mëdhenj të Islamit, Umejr ibn Uthman ibnu Kab et‑Tejmijin.
Në
luftën e Uhudit qëndroi i paepur dhe i paluhatshëm, në çastet më të
vështira, atëherë kur filloi t’u dridhet toka nën këmbë muslimanëve dhe
as nuk u tund e as nuk u frikësua kur disa filluan të ikin. Nga beteja
doli me njëzet e ca plagë, disa prej të cilave ishin aq të thella, saqë
dora e njeriut mund të hynte në to.
Mirëpo, prapëseprapë, kontributi i tij luftarak ishte i vogël në krahasim me kontributin e tij në pasuri.
Një
ditë prej ditësh, Pejgamberi (a.s.) dëshironte të përgatiste një
ekspeditë luftarake dhe iu drejtua sahabëve me fjalët: “Urdhëroni, jepni
diçka (nga pasuria), sepse duam të dërgojmë një ekspeditë (kundër
armiqve).” Atëherë, Abdurrahman ibn Aufi nxitoi me të shpejtë në
shtëpinë e tij dhe, kur u kthye, tha: “O i Dërguar i Zotit, kam me vete
katër mijë derhemë, dy mijë po i jap në rrugën e Allahut e dy mijë po ua
lë fëmijëve të mi (familjes sime).”
“Allahu
të bekoftë e të begatoftë në atë që solle… dhe Allahu të bekoftë e të
begatoftë në atë çka ndale (për familjen tënde).” – ia ktheu Pejgamberi
(a.s.).
Gjatë luftës së Tebukut
Gjatë
luftës së Tebukut, e cila është lufta e fundit në të cilën luftoi (dhe
mori pjesë) Muhamedi (a.s.), ndihej nevojë e madhe për njerëz dhe për
pasuri në përgatitjen e ushtrisë muslimane. Në anën tjetër, ushtria
romake numerikisht ishte shumë më e madhe dhe më e përgatitur në armatim
në krahasim me ushtrinë muslimane.
Atë
vit në Medinë mbretëronte një thatësi e madhe, e rruga deri në Tebuk
ishte shumë e gjatë. Rezervat e ushqimit ishin të pakta e ndihej
mungesë e madhe edhe në kafshët mbartëse.
Një
grup besimtarësh, të cilëve u digjej e përvëlohej zemra nga dëshpërimi
për shkak të pamundësisë së shkuarjes në luftë, sepse nuk kishte deve të
mjaftueshme për t’i çuar të gjithë deri në Tebuk, shkuan te Pejgamberi
(a.s.) duke e lutur me lot në sy që t’u gjejë edhe atyre ndonjë vend.
Mirëpo, i Dërguari i Allahut me keqardhjen më të madhe u detyrua t’i
refuzojë. Ata, të dëshpëruar e me sy të përlotur, filluan të kthehen
duke qarë me dënesë e me ngashërim, saqë i quajtën “Të përloturit”,
kurse ushtrinë e thirrën “Ushtria e vështirësisë”.
Kur
e pa këtë skenë rrëqethëse e të prekshme, Muhamedi (a.s.) i urdhëroi
shokët e vet që ta hapnin zemrën dhe të jepnin në rrugën e Allahut atë
çka kishin mundësi.
Muslimanët
me nxitim iu përgjigjën thirrjes së Resulullahut, e ndër të parët, si
zakonisht, Abdurrahman ibnu Aufi, i cili ndihmoi ushtrinë muslimane me
dyqind okë ar, saqë Umeri i tha Pejgamberit (a.s.): “Më duket se
Abdurrahmani ka bërë mëkat në këtë rast, sepse familjes së tij nuk i ka
lënë asgjë.”
Atëherë Pejgamberi (a.s.) iu drejtua Abdurrahman ibn Aufit duke i thënë:
‑ A le diçka për familjen tënde, o Abdurrahman?
‑ Po – ia ktheu ai, – u lashë më shumë sesa kishin.
‑ Sa dhe çfarë? – e pyeti prapë i Dërguari (a.s.).
‑ Atë që u ka premtuar Allahu (xh.sh.) dhe i Dërguari i Tij nga furnizimi, të mirat dhe shpërblimet – tha Abdurrahman ibnu Aufi.
* * *
Ushtria
vazhdoi rrugën për në Tebuk dhe këtu Allahu (xh.sh.) e nderoi dhe e
fisnikëroi Abdurrahman ibn Aufin me një nder, me të cilin nuk u nderua e
as nuk u fisnikërua askush prej muslimanëve…
…Kishte
hyrë koha e namazit dhe i Dërguari (a.s.) nuk ishte aty pranë në ato
çaste. Atëherë Abdurrahmani doli imam i muslimanëve në namaz. Pak para
se të përfundojë rekati e parë, arriti i Dërguari (a.s.) dhe u lidh në
namaz pas tij. A thua, a mund të ketë nder dhe vlerë më të madhe sesa
dikush të bëhet imam i krijesës më të vlefshme – Imamit të të gjithë
Pejgamberëve – Imam i Muhamedit (a.s.)?
Madje kur Profeti e dërgoi Abdurrahmanin në një ekspeditë me një çetë, ia dha flamurin me dorën e tij.
Abdurrahmani në kohën e halifeve
Pasi
kaloi Resulullahu (a.s.) në Ahiret pranë mëshirës së lartë hyjnore të
Allahut (xh.sh.), Abdurrahman ibnu Aufi u vu në shërbim dhe përkudesje
të “nënave të besimtarëve”.
Cilësitë e larta morale dhe veprat e tij fisnike bënë që “nënat e besimtarëve” të kenë besim tek ai.
Prej
mirësive të tij ndaj muslimanëve e në veçanti ndaj “nënave të
besimtarëve”, përmendet se kishte shitur një pjesë të tokës për 40 mijë
dinarë dhe tërë këtë pasuri ua ndau: fisit Benu Zehre (fisit të Eminesë,
nënës së Pejgamberit), të varfërve, muhaxhirëve dhe grave të
Pejgamberit (a.s.). Kur i dërgoi pjesën që i kishte takuar Aishes, ajo
pyeti:
- Kush i dërgoi tërë këto të holla?
- Abdurrahman ibnu Aufi. – i thanë.
‑ Ka thënë Pejgamberi (a.s.): “Pas meje, askush nuk do të bëjë mirësi ndaj jush, përveç durimtarëve. – tha ajo.
Duaja
e Pejgamberit (a.s.) për Abdurrahman ibnu Aufin, që Allahu t’ia
begatojë pasurinë e tij, e përcolli gjatë tërë jetës, derisa u bë më i
pasuri ndër sahabët. Tregtia e tij sa vinte e shtohej. Karvanet e tij
shkonin e vinin pandërprerë duke transportuar grurë, miell, vaj, enë,
rroba, erëra (parfume) dhe çkado që ndihej nevoja për të, ndër banorët e
Medinës.
* * *
Një
ditë arriti në Medinë karvani i Abdurrahman ibnu Aufit me 700
(shtatëqind) deve… Po, po, 700 deve, me ushqim, veshmbathje dhe sende të
ndryshme!
Me të hyrë në Medinë, nga zhurmat e gëzimit, dukej se edhe toka po dridhej.
‑ Ç’është kjo zhurmë? – pyeti Aisheja.
‑ Është karvani i Abdurrahman ibnu Aufit me 700 e ca deve me ushqim, – i thanë.
‑
Zoti e begatoftë në atë që i ka dhënë prej të mirave të kësaj bote, –
tha Aishja, – por të mirat e tij në Ahiret janë edhe më të mëdha. E kam
dëgjuar të Dërguarin (a.s.) duke thënë: “Abdurrahman ibnu Aufi do të
hyjë në Xhenet gjunjazi.”
* * *
Ky
lajm përgëzues nga “nëna e besimtarëve”, Aishja, i arriti menjëherë në
vesh Abdurrahamnit, madje edhe para se devetë të ulen e të pushojnë.
Shkoi me vrap tek ajo dhe i mallëngjyer nga ndjenjat e emocionet, që i
kishin përshkuar tërë trupin, tha: “Oj nënë, a vërtet e ke dëgjuar këtë
nga i Dërguari i Allahut?”
‑ Po, – ia ktheu ajo.
Atëherë
Abdurrahamn ibnu Aufi nga gëzimi i papërshkrueshëm tha: “Sikur të kisha
mundësi të zgjidhja, do të hyja në Xhenet në këmbë, por dëshmo, o
‘nënë’, se ky karvan, me tërë atë që ka: devetë, ushqimi dhe
veshmbathja, prej këtij momenti janë dhuratë për të varfrit, vetëm për
hir të Allahut (xh.sh.).”
Prej
asaj dite që mori lajmin përgëzues, Abdurrahmanit i ndriçoi fytyra me
një nur hirësie. Filloi të shpërndajë edhe më shumë pasuri për të
varfrit, me të djathtën dhe me të majtën, fshehurazi e haptazi.
Shpërndau në emër të sadakasë 40 mijë derhem argjend, e menjëherë pas
tyre 40 mijë dinarë ar. Nuk vonoi shumë e shpërndau edhe 200 okë ar.
I ndihmoi luftëtarët në rrugën e Allahut me 500 kuaj dhe 1500 deve.
Para
se t’i vijë momenti i vdekjes, liroi shumë robër. La porosi që çdo
luftëtari të betejës së Bedrit t’i jepen nga 400 dinarë ari, e atëbotë
ishin ende gjallë 100 prej tyre.
Pastaj
la amanet që çdo “nëne të besimtarëve” t’i ndahet nga një pjesë e
konsiderueshme e pasurisë, saqë Aishja lutej shpeshherë për të dhe
thoshte: “Allahu ia shoftë etjen me ujët e krojeve të Xhenetit
Selsebil!”[2]
Përveç
tërë kësaj, familjes së vet i la trashëgim pasuri që nuk mund as të
numërohej. Prej tyre: 1000 deve, 100 kuaj dhe 3000 krerë dele.
Trashëgimtarëve të tij u la ar dhe argjend të shumtë, saqë duart e
atyre që ndanin filluan të lodhen. E tërë kjo ishte fryt i duasë së
Pejgamberit (a.s.) që Zoti t’ia shtojë dhe bekojë pasurinë e tij.
Mirëpo,
edhe përkundër tërë kësaj pasurie të madhe, kjo aspak nuk e luhati e as
nuk e ndryshoi Abdurrahman ibnu Aufin nga qëndrimet e tij, saqë
njerëzit nuk mund ta dallonin atë në mesin e shërbëtorëve të vet.
Një
ditë, derisa agjëronte, për iftar i sollën ca ushqime. E shikoi atë me
buzë në vaj dhe tha: “Kur u vra Musab ibnu Umeri, i cili ishte njeri më
i mirë se unë, nuk mund të gjenim qefin të mjaftueshëm për ta mbuluar.
Kur ia mbulonim kokën, i zbuloheshin këmbët, e kur ia mbulonim këmbët i
zbulohej koka… Ne Allahu na furnizoi me të mirat e Tij në këtë dynja,
prandaj po kam frikë se mos shpërblimi ynë është shpejtuar dhe s’do të
kemi asgjë për botën e ardhshme.”
Pas kësaj filloi të qajë e të dënesë me ngashërim derisa ushqimi u tha.
* * *
I lumi Abdurrahman ibn Aufi me një mijë lumturi…
E përgëzoi me Xhenet mbartësi i fundit i shpalljes hyjnore, Muhammedi (a.s.).
Në përcjelljen e fundit, xhenazen ia mbajti daja i Pejgamberit (a.s.), Sad ibnu Ebi Vekasi.
Namazin
e xhenazes ia fali “pronari i dy dritave”, Uthmani, kurse prej tij i
fundit u nda Aliu, me fjalët: “Allahu të mëshiroftë! E arrite
dëlirësinë e kësaj feje para se të fillojnë përçarjet dhe ngatërresat!”.
[1] “Shtëpia
e Erkamit” – Një shtëpi në Mekë, në të cilën i Dërguari i Allahut
thërriste në Islam. Kjo shtëpi quhej edhe “Shtëpia e Islamit”. I zoti i
saj ishte Erkam ibnu Abdu Menaf el‑Mahzumi.
[2] Selsebil – emër i një kroi në Ahiret.
Post a Comment