6- Ebu Ubejde Ibnul Xherrahu-10 Te pergezuarit e pare me Xhennet

http://pure-monotheism.blogspot.com/


Ebu Ubejde Ibnul Xherrahu
 
“Secili popull ka besnikun e vet, e besniku i këtij populli është Ebu Ubejde.” (Muhammedi a.s.)

Ebu Ubejde ishte një burrë me fytyrë të pastër, pamje të bu­kur, shtathedhur, i gjatë e shpatullgjerë. Syri gëzohej me pamjen e tij, shpirti kënaqej dhe zemra qetësohej në takimin me të.

Përveç këtyre, ai kishte sjellje të mirë, ishte modest dhe i turp­shëm. Mirëpo, nëse ashpërsohej situata dhe e kërkonte momenti, ai bëhej si luani.
Ai i përngjante tehut të shpatës në shkëlqimin e bukurisë së saj, si dhe në ashpërsinë e të rënave të saj.

Ky pra është besniku i umetit të Muhamedit (a.s.), Amër ibnu Abdullah ibnul Xherrah el‑Fihri el‑Kureshi, i njohur me pseudonimin Ebu Ubejde.

Abdullah ibnu Umeri e përshkroi atë e tha: “Tre vetë nga kurejshët janë me fytyra më të bukura, me moral më të lartë dhe janë më të turpshmit; kur të flasin, nuk të gënjejnë dhe nëse ti u flet, nuk të përgënjeshtrojnë: Ebu Bekr es‑Sidiku, Uthman ibnu Afani dhe Ebu Ubejde ibnul Xherrahu.

Ebu Ubejde ishte prej të parëve që pranoi fenë islame. Ai e pranoi Islamin në ditën e dytë, menjëherë pas Ebu Bekrit. Fenë islame e pranoi nëpërmjet duarve të vetë Ebu Bekër es‑Sidikut. Pastaj së bashku me të, Abdurrahman ibnu Aufin, Uthman ibnu Ma­dhunin dhe El‑Erkam ibnul Ebi Erkamin shkuan te Pejgamberi (a.s.) dhe para tij e shqiptuan dëshminë e së vërtetës. Këta ishin shtyllat e para në të cilat u sendërtua kështjella e fortë e Islamit.

*  *  *

Ebu Ubejde e përjetoi përvojën e jetës së hidhur të muslimanëve në Mekë, prej fillimit deri në përfundimin e saj. Së bashku me muslimanët e tjerë, ai i përjetoi të gjitha peripecitë, vuajtjet, mun­dimet dhe pikëllimet, të cilat nuk i përjetoi asnjë ithtar i ndonjë fe­je tjetër në sipërfaqen e tokës, por megjithatë ata u mbetën bes­nikë parimeve islame.
Mirëpo, sprovimi i Ebu Ubejdes në ditën e Bedrit, me vrazhdësinë e vet tejkaloi çdo parashikim dhe çdo imagjinatë.

*  *  *

Ditën e Bedrit, Ebu Ubejde u vërsul në mesin e radhëve të ar­mi­kut pa pasur frikë fare. Madje, armiqtë ia kishin frikën atij. Çante radhët e tyre pa e pasur frikë vdekjen. Prandaj i ruheshin kalorësit kurejshë dhe i shmangeshin ballafaqimit me të.

Mirëpo, vetëm një njeri e përcillte Ebu Ubejden si hije e i dilte për­para në çdo anë, por Ebu Ubejde ia lëshonte rrugën dhe nuk e dëshironte ballafaqimin me të. Edhe pse ky njeri i shpeshtoi sulmet e njëpasnjë­shme, Ebu Ubejde i shmangej sa ishte e mundur takimit me të. Por më në fund, ai ia mbylli të gjitha rrugët Ebu Ubejdes dhe e pengonte për t’i luftuar armiqtë e Allahut. Dhe më në fund, kur e shpenzoi tërë durimin, nuk i mbe­ti tjetër veçse t’ia presë kokën me shpatë, të cilën ia ndau në dy pjesë dhe njeriu ra i vdekur para tij.

Lexues i nderuar, mos u mundo të vrasësh mendjen se kush mund të jetë njeriu i vdekur!
A nuk të thashë se sfida e shëmtuar tejkaloi çdo parashikim dhe kapërceu çdo imagjinatë? Ndoshta do të të duket e pabesueshme kur të mësosh se njeriu i vdekur ishte Abdullah ibnul Xherrahu, babai i Ebu Ubejdes.

Ebu Ubejde nuk vrau babanë e vet, por politeiz­min, mosbesimin në personalitetin e babait të tij.

Rreth çështjes së Ebu Ubejdes dhe babait të tij, Allahu (xh.sh.), në Kuranin Famëlartë thotë: “Nuk gjen popull që e beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit, e ta dojë atë që kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, edhe sikur të jenë ata (kundërshtarët) prindërit e tyre, bijtë e tyre, vëllezërit e tyre ose farefisi i tyre. Ata janë që në zemrat e tyre (Ai) ka skalitur besimin dhe e ka forcuar me shpirt nga ana e Tij dhe ata do t’i shpjerë në Xhenete, nëpër të cilët rrjedhin lumenj. Aty janë përgjithmonë. Allahu ua ka pëlqyer punën e tyre dhe ata janë të kënaqur me shpërblimin e Tij. Të tillët janë palë (grup) e Allahut. Ta dini pra, se ithtarët e Allahut janë ata të shpëtuarit.”(58:22)

Ky veprim i Ebu Ubejdes nuk na habit, sepse fuqia e besimit të tij në Allahun, sinqeriteti ndaj fesë dhe besnikëria ndaj umetit të Muhamedit, kishin arritur kulmin e tyre.

Muhamed ibnu Xhaferi rrëfen e thotë:
- Erdhi një delegacion i krishterë te Pejgamberi (a.s.) e i thanë: “O Ebul Kasim! Dërgoje me ne njërin prej sahabëve të tu më të afërt të gjykojë mes nesh për disa kontestime të ndarjes së pasurisë sonë, të cilat nuk mundëm t’i zgjidhim vetë. Ju muslimanët te ne keni respekt të veçantë.”

Pejgamberi (a.s.) u tha:
- Ejani tek unë në mesditë e unë do ta dërgoj me ju një njeri të fuqishëm dhe besnik.

Umeri thotë:
- Shkova herët për ta falur nama­zin e drekës. Asnjëherë nuk e kam dashur postin më shumë se atë ditë, duke shpresuar të kem fatin të jem i zoti i atij atributi.

Pejgamberi (a.s.), posa e fali me ne namazin e drekës, filloi të shi­kojë djathtas e majtas. Unë ngrihesha sa mundesha që t’i bija në sy. Pejgamberi (a.s.) vazhdoi ashtu ta hedhë shikimin e tij në mesin to­në, derisa pa Ebu Ubejde ibnul Xherrahun, të cilin e thirri e i tha: “Shko me këta dhe gjyko në mes tyre me drejtësi rreth kontes­timeve të tyre.” Atëherë unë thashë me vete: “E mori atë nder Ebu Ubejde!”

Ebu Ubejde nuk shquhej vetëm me besnikëri, por tek ai bashko­hej fuqia dhe besnikëria. Kjo fuqi u manifestua në shumë ras­te.

Ajo u manifestua ditën kur Pejgamberi (a.s.) dërgoi një grup prej sahabëve të tij për t’i dalë në rrugë një karvani të kurejshëve dhe për udhëheqës të grupit caktoi Ebu Ubejden. Pejgamberi (a.s.) u dha me vete një shportë me hurma, sepse nuk kishte pasur asgjë tjetër. Ebu Ubejde ua jepte secilit prej sahabëve të tij çdo ditë nga një hurmë dhe çdonjëri prej tyre e thithte ashtu sikur­se e thith foshnja gjirin e nënës. Pastaj pinin ujë dhe kështu kjo u mjaftonte tërë ditën deri në mbrëmje.

*  *  *

Ndërsa ditën e betejës në Uhud, atëherë kur muslimanët u mun­dën dhe njëri nga idhujtarët filloi të çirrej: “Më tregoni se ku është Muhamedi… Më tregoni se ku është Muhamedi…”,

 Ebu Ubejde ishte njëri nga dhjetë personat të cilët e kishin rre­thuar Pejgamberin (a.s.) dhe e mbronin me kraharorët e tyre, të cilët i kishin drejtuar kah shigjetat e pabesimtarëve.
Kur mbaroi beteja, Pejgamberit (a.s.) i ishin thyer dy dhëmbët e parmë, i ishte lënduar balli, ndërsa dy hallka të parzmores së tij i kishin hyrë në mollëzat e syrit. Ebu Bekri deshi t’ia nxjerrë ato nga mollëzat, por kur e vërejti këtë Ebu Ubejde i tha: “Pasha Allahun, ma lër mua këtë punë!” Ebu Bekri ia la. Ebu Ubejde u frikësua se nëse ia nxjerr hallkat me dorë, Pejgamberi (a.s.) do të ndjente dhimbje, prandaj ia kafshoi të parën me tërë fuqinë me dhëmbët e parmë dhe e nxori, por i ra edhe dhëmbi i tij. Pastaj e kafshoi të dytën me dhëmbin e tij të dytë, e nxori atë, por me të i ra edhe dhëmbi tjetër.

Lidhur me këtë, Ebu Bekri thotë: “Ebu Ubejde ishte prej njerëz­ve më të pashëm pa dhëmbët e parmë.”

 *  *  *

Ebu Ubejde së bashku me të Dërguarin e Allahut mori pjesë në të gjitha betejat, prej fillimit të shoqërimit me të e derisa vdiq.

Me rastin e zgjedhjes së Ebu Bekrit si halife të muslimanëve në “Sekif”, Umer ibnul Hatabi i tha Ebu Ubejdes: “Shtrije dorën të të pranoj ty si halife, sepse unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: ‘Secili ka besnikun e vet, e ti je besniku i këtij umeti.’”
Ebu Ubejde u përgjigj: “Nuk mund t’i dal para atij njeriu të cilin e urdhëroi Pejgam­beri (a.s.) të na prijë neve në namaz dhe ne u falëm pas tij derisa i Dërguari i Allahut ishte gjallë.”
Pasi Ebu Bekri u zgjodh halife i muslimanëve, Ebu Ubej­de ishte njëri prej këshilltarëve dhe ndihmësve të tij me të afërt dhe më të sinqertë në vërtetësi dhe ndihmës i pakursyeshëm në mirësi.

Pas Ebu Bekrit, halifati iu besua Umer ibnul Hatabit, të cilit gji­thashtu iu bind Ebu Ubejde dhe asnjëherë nuk e kundërshtoi, për­veçse në një rast.

A e di se për cilën çështje nuk e dëgjoi Ebu Ubejde halifen e muslimanëve?
Ai nuk e dëgjoi atëherë kur ndodhej në Sham në krye të ushtrisë muslimane, të cilën e udhëhiqte prej fitores në fitore, derisa nën komandën e tij u çlirua i tërë Shami dhe arriti deri te lumi Eufrat në lindje dhe në Azinë e Vogël në veri.

Në atë kohë, në Sham, ishte përhapur me të madhe sëmundja e ko­lerës, saqë nuk mbahej mend që ndonjëherë të kishin vdekur aq shumë njerëz.

Halifeja i muslimanëve – Umer ibnul Hatabi – nga frika se nga kjo sëmundje mund ta pësojë edhe Ebu Ubejde, nxitoi dhe e dërgoi një mesazhjer tek ai me një mesazh në të cilin thuhej: “Unë kam nevojë të madhe për ty, për çka nuk mund të të zë­ven­­dësojë askush. Nëse të mbërrin mesazhi im natën, kërkoj prej teje që mëngjesi të të gjejë tek unë. E nëse letra ime të arrin ditën, kërkoj prej teje që mbrëmja të të gjejë tek unë.”
Posa e lexoi Ebu Ubejde letrën e halifit, tha: “E kuptova nevojën e prijësit të muslimanëve për mua. Ai dë­shi­ron ta mbajë në jetë atë që nuk mund të mbahet.” Pastaj iu përgjigj letrës së tij me këtë fjalë:

“O prijës i muslimanëve! Unë e kuptova nevojën tënde për mua. Unë gjendem në mesin e ushtrisë muslimane dhe jam njëri prej ushtarëve të saj. Nuk dëshiroj ta ruaj veten prej asaj që mund t’u ndodhë atyre. Nuk dëshiroj të ndahem prej tyre, derisa Allahu ta çojë në vend urdhrin e Vet për mua dhe për të tjerët. Kur të arrijë letra ime, më lejo të mbetem këtu ku jam!”

Posa i arriti Umerit letra e Ebu Ubejdes, e lexoi me një frymë e pastaj qau derisa iu enjtën sytë. Disa nga sahabët që ishin të pranishëm, kur panë mallëngjimin e tij të madh, e pyetën: “Mos ka vdekur Ebu Ubejde, o prijës i besimtarëve?”
Umeri u përgjigj: “Jo. por ai është në prag të saj.”

Supozimi i Umerit nuk ishte larg. Nuk shkoi pak kohë dhe Ebu Ubejde u sëmur nga kolera. Kur vërejti se i ishte afruar vdekja, i porositi ushtarët e tij me këto fjalë:
“Unë jua lë një porosi, nëse i përmbaheni, do të jeni mirë:

“Faleni namazin, agjërojeni muajin e Ramazanit, jepni sada­ka­në, bëni haxhin dhe umren, këshilloni njëri‑tjetrin në mirësi, dë­gjoni prijësit tuaj e mos i tradhtoni. Kini kujdes të mos iu mash­tro­jë dynjaja, sepse njeriu, sikur të jetojë edhe një mijë vjet, patjetër do të vijë në këtë gjendje në të cilën më shihni mua.

“Paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin me ju!”
Pastaj u drejtua kah Muadh ibnu Xhebeli e i tha: “O Muadh, priju njerëzve në namaz!”
Nuk vonoi e shpirti i tij i pastër u shpërngul në Ahiret. Pastaj u ngrit Muadhi dhe tha:
“O njerëz! Ju jeni të pikëlluar me humbjen e këtij njeriu. Betohem në Allahun, nuk di të kem parë njeri më zemërmirë e më të largët nga veprat e këqija, e as më këshilldhënës të mirë për të gjithë. Lutuni për të, Allahu ju mëshiroftë!”


Është thënë për Ebu Ubejden:

Njëherë Umeri ishte ulur mes njerëzve dhe u tha atyre: “Shprehini dëshirat tuaja.” Dikush tha: “Do dëshiroja që kjo dhomë të ishte e mbushur me perla e ta jepja sadaka në rrugë të Allahut.” Umeri sërisht tha: “Shprehini dëshirat tuaja.” Një tjetër tha: “Do dëshiroja që kjo dhomë të ishte e mbushur me margaritarë, xhevahire dhe perla e t’i jepja sadaka për hir të Allahut.” Umeri sërisht tha: “Shprehini dëshirat tuaja.” Por të pranishmit ia kthyen: “Nuk dimë çfarë dëshire të shprehim o prijës i besimtarëve.” Atëhere Umeri tha: “Do të dëshiroja që kjo dhomë të ishte e mbushur me burra si Ebu Ubejde bin Xherrahu, Muadh bin Xhebeli, Salm dhe Hudhejfe bin Jemani.”[1]

Ibn ebi Mulejke ka thënë: “E kam dëgjuar Aishen, që kur e pyetën se kë mendonte se do të zgjidhte Profeti si halife nëse do ta bënte një gjë të tillë, të thoshte: ‘Ebu Bekrin.’. ‘Po pastaj kë?’ – e pyetën njerëzit. ‘Umerin.’ – u përgjigj Aishja. ‘Po pastaj kë?’ – e pyetën sërisht. ‘Ebu Ubejde bin Xherrahun.’ – tha ajo dhe me kaq heshti.”[2]


[1] Hakimi në Mustedrek: 3/226. Ibn Asakiri në Tarijh. Ky transmetim është i mirë.
[2] Ibn Rrahauejhi në Musned-in e tij: 152.

Post a Comment